LKÇK-ja u margjinalizua nga profiterët e luftës

Avni Klinaku - 21.2.2013
Shkronja me te vogla! Madhesi normaleShkronja me te medha!
Intervistë për portalin e lajmeve telegrafi.com e Kryetarit të Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku.
   
    Ish drejtuesi i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), Avni Klinaku, ka deklaruar se zbehja e rolit të LKÇK-së në skenën politike ka qenë në interes të atyre që kanë dashur të përfitojnë nga lufta çlirimtare e UÇK-së dhe kurrë të mos e thonë të vërtetën e plotë për luftën. Ai ka thënë për Telegrafin se Adem Jashari, besimin ndaj LKÇK-së e ka shprehur edhe gojarisht.
    Klinaku ka thënë se Heroi i Kosovës, Bahri Fazliu, i cili pas rënies sime në burg ka qenë kryetar i LKÇK-së dhe kryeredaktor i organit “Çlirimi”, në emër të Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së, i ka dërguar një letër, një kopje të së cilës e posedon, e të cilës Ademi Jashari nuk ka arritur t’i përgjigjet, meqë disa ditë më pas vritet.
    “Dali i Ademit Jasharit, Lulëzim Jashari, pohon se Ademi i është gëzuar kësaj letre dhe se ka deklaruar këto fjalë: ‘Lumi unë lumi që po bashkohem me ata që e kanë edhe mendjen edhe pushkën’”, thotë Klinaku. “Këto janë pohime të Lulëzim Jasharit, të cilat mund t’ua thotë edhe sot, besoj”.
    Ai ka folur edhe për raportet e LKÇK-së me Zahir Pajazitin, me të cilin kanë qenë në kontakt Fatmir Humolli dhe Nazmi Zuka. Klinaku ka sqaruar se pas largimit të Fatmirit Humollit dhe Nazmi Zukës nga Kosova, lidhjet e LKÇK-së me Zahir Pajazitin i ka mbajtur Heroi i Kosovës, Agron Rrahmani, i cili ka qenë edhe komandanti i parë i njësitit gueril të LKÇK-së, Rexhep Mala, me autorizimin e Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së.
    “Raportet me Zahirin kurrë nuk kanë shkuar përtej koordinimeve të veprimeve të të dyja palëve. Në Tiranë janë takuar zyrtarisht Zahiri, Bahriu dhe Agroni dhe janë dakorduar për koordinimin e veprimeve në Kosovë. Kjo nuk ndodhi, sepse Zahiri së bashku me Hakifin dhe Edmondin u vranë në janar të vitit 1997”.
    Klinaku ka treguar edhe për marrëveshjen e arritur në mes LKÇK-së dhe UÇK-së në vitin 1998. Sipas tij, pas përpjekjeve intensive dhe me ndihmën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, është arritur marrëveshja ushtarako-politike në mes të LKÇK-së dhe UÇK-së.
    “Zyrtarisht, gjatë bisedimeve delegacioni i LKÇK-së është përbërë nga Sabit Gashi e Fatmir Humolli, ndërsa UÇK-në e ka përfaqësuar vazhdimisht Rexhep Selimi. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë prezent Sabit Gashi - përfaqësues i LKÇK-së, Rexhep Selimi - përfaqësues i UÇK-së, Smail Latifi prej LKÇK-së, dhe si ndërmjetësues Arben Fetoshi - përfaqësues i studentëve”, thotë Klinaku. “Marrëveshjen e arritur në mes të LKÇK-së dhe UÇK-së e ka nënshkruar Sabit Gashi dhe Rexhep Selimi”.
    Sipas Klinakut, marrëveshjes mes LKÇK-së dhe UÇK-së i ka paraprirë marrëveshja e 10 maj e vitit 1998, e cila ishte realizuar në Shtabin Lokal të Drenocit të Zatriqit.
    “Marrëveshja e 10 majit e vitit 1998 ka qenë me karakter lokal dhe është arritur në mes të Sabit Gashit dhe Fehmi Lladrovcit”.
    Ish drejtuesi i LKÇK-së, ka thënë se gjatë nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë të pranishëm Xhevë Lladrovci, Tone Gashi dhe Smail Latifi.
    “Marrëveshja e përgjithshme e 11 majit 1998 ka paraparë shkrirjen e formacioneve ushtarake në UÇK dhe ruajtjen e subjektivitetit politik të LKÇK-së”, shprehet Klinaku. “Marrëveshja ka përmbajt edhe zotimin e të dyja palëve për formimin e Frontit Politik për udhëheqjen e luftës. Sa i përket pikës së parë të marrëveshjes, ajo është zbatuar plotësisht. Dhe, kjo ka ndodhur kështu edhe pse ka pasur mospajtime të mëdha në mënyrën e zhvillimit të luftës së armatosur”.
    Klinaku tha se LKÇK-ja, duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e bashkimit të forcës ushtarake përballë pushtuesit dhe dëmit në rast se do të krijoheshin dy ushtri të shqiptarëve në Kosovë, ka vendosur që të shkrijë të gjitha formacionet e saj në UÇK dhe nuk i ka bërë bisht marrëveshjes .
    “Në anën tjetër, pika e dytë e marrëveshjes, krijimi i Frontit Politik, nuk është realizuar kurrë, me çka i është bërë dëm luftës së armatosur kundër pushtuesit serb”, ka deklaruar ai.
    Për të, faktori vendimtar që ka ndikuar në margjiinalizimin e LKÇK-së pas luftës në Kosovë, kanë qenë përpjekjet e disa subjekteve politike dhe individëve të ndryshëm për t’i përvetësuar meritat e luftës së armatosur.
    “Në këto ujëra LKÇK-ja nuk ka pranuar të gjendet”, thotë Klinaku. “Zbehja e rolit të LKÇK-së në skenën politike të pasluftës në Kosovë, ka qenë edhe në interes të një pjese të faktorit ndërkombëtar që ka bërë përpjekje ‘ta zgjidhë’ çështjen shqiptare, e në masë të madhe edhe ia ka dalë, duke kënaqur apetitet e Serbisë dhe atyre që kishin dalë në ballë të skenës politike të Kosovës”.
    Klinaku thotë se LKÇK-ja ka qenë organizatë e masave të gjera, pa përcaktime ideologjike.
    “Në LKÇK ka pasur edhe enveristë, edhe anti-enveristë, të djathtë dhe të majtë”, shprehet ai.
    Klinaku ka deklaruar se numri i anëtarëve të LKÇK-së deri në janar të vitit 1997 ka qenë mbi 500, mirëpo pas shpërthimit të luftës ky numër ka shkuar me mijëra.
    “Disa prej Figurave më të rëndësishme të LKÇK-së kanë qenë: Bahri Fazliu - ideolog i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar dhe njëri prej figurave më të çmuara të LKÇK-së, Agron Rrahmani – komandant i njësitit të parë gueril të LKÇK-së në Prishtinë, Rexhep Mala dhe bashkëpunëtori me i ngushtë i Bahri Fazliut, Agim Ramadani, Mehë Uka (të gjithë të shpallur Heronj të Kosovës), Hyzri Talla, Isa Kastrati, Sokol Sopi, Agron Rama etj.”.
    Sipas tij, ideali i LKÇK-së dhe i UÇK-së ka qenë çlirimi dhe bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm.
    “Edhe qëllimi i Lëvizjes për Bashkim, kryetar i së cilës jam aktualisht, është bashkimi i popullit shqiptar, që do të thotë se nuk ka shmangie, por vetëm vazhdimësi”, ka thënë Klinaku. “LKÇK-në dhe Lëvizjen për Bashkim i bashkon programi i bashkimit kombëtar. Në fakt, Lëvizja për Bashkim dhe Lëvizja për Integrim dhe Bashkim (LIB) - të bashkuara - janë vazhduese e të drejtpërdrejta të programit të papërfunduar të LKÇK-së. Kanë ndryshuar vetëm mjetet dhe metodat e veprimit”. /Telegrafi/
   
Kushtrim Sheremeti