PROGRAMI POLITIK I LËVIZJES PËR BASHKIM (LB)

Lëvizja për Bashkim (LB) është organizatë politike e cila përpiqet për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur shqiptare.

QËLLIMET E ORGANIZATËS

Duke pasur parasysh:

- se populli shqiptar kundër vullnetit të tij jeton i copëtuar në disa shtete dhe si pasojë çështja shqiptare mbetet e pazgjidhur;

- se gjatë gjithë historisë së tij populli shqiptar synim të vërtetë e ka pasur dhe e ka edhe sot bashkimin e tij në një shtet të vetëm – Shqipërinë;

- se populli shqiptar i cili jeton në Kosovë nuk e ushtron sovranitetin në territorin e vet dhe nuk i njihet e drejta e kombeve për vetëvendosje; prandaj, Kosova edhe pas shpalljes së pavarësisë sipas Pakos së Ahtisarit mbetet pjesë e pazgjidhur e çështjes shqiptare;

- se popullit shqiptar, i cili jeton nën Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi i mohohet e drejta e vetëvendosjes dhe e bashkimit kombëtar;

- se vetëm si i bashkuar në një shtet të vetëm populli shqiptar mund t’i shfrytëzojë të gjitha potencialet e veta në funksion të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor;

- se vetëm me zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare populli shqiptar bëhet faktor i paqes dhe partner i barabartë në integrimet dhe zhvillimet evropiane dhe botërore;

si dhe, duke e pasur parasysh të drejtën e ligjshme dhe të patjetërsueshme të kombeve për të jetuar të lirë dhe të bashkuar, në përputhje me të drejtën e  kombeve për vetëvendosje:

LB-ja përpiqet për bashkimin e popullit shqiptar në një shtet të vetëm, sovran, të lirë e demokratik.

Krahas qëllimit kryesor, bashkimit kombëtar, dhe detyrave rreth shtrirjes organizative e përhapjes së politikës së saj, LB-ja do të jetë aktive në trajtimin e çështjeve të përditshme të qytetarit, duke u përpjekur për zgjidhjen e tyre, por gjithmonë në përputhje dhe në funksion të qëllimit kryesor.

DOMOSDOSHMËRIA E EKZISTENCËS

Duke qenë se:

- pa një subjekt politik i cili e shtron drejt një çështje për zgjidhje dhe angazhohet seriozisht për realizimin e saj është e pamundur të zgjidhet ajo çështje;

- faktorët ndërkombëtarë në çështjen e pazgjidhur shqiptare në radhë të parë i shohin interesat e veta, prandaj nuk duhet pritur që të tjerët ta zgjidhin drejt çështjen tonë;

LB-ja konsideron se për ta realizuar qëllimin e vet populli shqiptar ka nevojë për një politikë gjithëkombëtare të aftë për ta shtruar për zgjidhje dhe për ta zgjidhur drejt çështjen kombëtare. Zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare, në radhë të parë, është nevojë jetike e zhvillimit të kombit shqiptar si i barabartë me të tjerët dhe, në radhë të dytë, krijon paqe të qëndrueshme në Ballkan e më gjerë.

MJETET DHE METODAT

Në përputhje me zhvillimin e saj politik e organizativ dhe në përputhje me rrethanat, LB-ja shtron detyra të nevojshme për jetësimin e qëllimit themelor të saj. Natyra e detyrave përcakton edhe natyrën e mjeteve dhe metodave.

- LB-ja, në përputhje me rrethanat e reja, zgjidhjen e çështjes shqiptare nuk e konsideron si një akt të vetëm, por si një proces.

- LB-ja, si organizatë legale, për realizimin e qëllimeve të saj do t’i përdorë të gjitha mjetet e luftës institucionale dhe jashtinstitucionale.

- LB-ja është kundër terrorizmit si metodë lufte për realizimin e qëllimeve politike.

- LB-ja është kundër nxitjes së urrejtjes raciale, kombëtare dhe fetare.

PARIME

- LB-ja e konsideron popullin faktor kryesor për çlirim dhe bashkim kombëtar. Çdo përpjekje që e nënçmon faktorin e brendshëm duke e mbiçmuar faktorin e jashtëm, LB-ja e quan të gabuar e të dëmshëm;

- LB-ja nuk e injoron faktorin e jashtëm, por konsideron se faktori i jashtëm mund të jetë në funksion të faktorit të brendshëm;

- Për realizimin e programit të saj politik, LB-ja do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet shtetërore dhe subjektet politike brenda dhe jashtë vendit;

- LB-ja e përkrah luftën e drejtë të popujve për liri dhe është kundër çdo shtypjeje të popujve;

- LB-ja është kundër racizmit dhe çdo ideologjie që nxit përçarje midis popujve si dhe ndarje mbi baza fetare.

BESIME

- Aspirata e popullit shqiptar për të jetuar i lirë dhe i bashkuar ka mbetur e pavdekshme përkundër përpjekjeve të pareshtura të pushtuesve për ta mbytur atë;

- Një popull i organizuar mirë rreth një koncepti të drejtë politik e i vendosur në qëllimin e tij, i gjen rrethanat e favorshme ndërkombëtare dhe i realizon aspiratat e tij;

- Procesi i natyrshëm dhe i pandalshëm i zhvillimit dhe integrimit të kombit shqiptar i lehtëson përpjekjet për realizimin e suksesshëm të bashkimit kombëtar.


*     *     *

Ky është programi politik i LB-së, i cili, me kalimin e kohës, me ndryshimin e rrethanave, mund të ndryshojë, por duke mbetur gjithmonë program i bashkimit kombëtar.

Alenca Kuqezi